Ombudspersoni bën thirrje për evitimin e rrezikut për jetë të banorëve të Grabovcit të Ultë

04/04/2008

Banorët e fshatit Grabovc i Ultë janë ankuar pranë Institucionit të Ombudspersonit se Korporata Energjetike e Kosovës është duke iu rrezikuar jetën atyre gjatë punëve që është duke i kryer pranë shtëpive ku ata jetojne.
Në ankesën e parashtruar kuptohet se bëhet fjalë për mosveprimin e organeve kompetente për të parandaluar pasojat e dëmshme që janë duke iu shkaktuar banorëve të fshatit Grabovc i Ultë si pasojë e fillimit të punëve nga ana e KEK-ut në mihjen sipërfaqësore të dheut me qëllim të nxjerrjes së linjitit. Përveq zhurmës së madhe që është duke u shkaktuar nga maqineria e KEK-ut, ndotjes së ujit të pijshëm, ndotjes së ajrit, banorët e fshatit Grabovc i Ultë rrezikohen për jetë edhe nga shembja e dheut.
Pas pranimit të ankesës, Institucioni i Ombudspersonit ka verifikuar gjendjen në terren dhe ka konkluduar se në rastin konrkret janë shkelur neni 5 dhe neni 8 i Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe neni 8 i Konventës evropiane mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kto pohime i vërteton edhe raporti i Institutit “INKOS” sipas të cilit gjetjet në fshatin Grabov i Ultë tejkalojnë vlerat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe standarded evropiane.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovë dhe Komuna e Fushë Kosovës kanë qenë të njoftuara për problemet e lartëshënuara që nga fillimi i punëve në këtë anë nga banorët e fshatit. Më vonë, autoriteteve kompetente iu është bërë thirrje edhe nga Institucioni i Ombudspersonit për masa urgjene, mirëpo deri tani ky problem jetik për banorët e Grabovcit të Ultë është injoruar.
Për të gjitha arsyet dhe konstatimet e përmendura më lartë, ku rezultojnë shkelje të dispozitave të lart cekura të Ligjit mbi mrojtjen e mjedisit dhe nenit 8 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, Institucioni i Ombudspersonit kërkon të ndërmirren masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjes.
Në pamundësi për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe uljes së nivelit të zhurmës, Institucioni i Ombudspersonit rekomandon që si masë e fundit të shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së familjeve të dëmtuara dhe kompensimi i pronave të tyre.