Ombudspersoni vëren shkelje në Gjykatën Komunale në Lipjan
Në qershor të vitit 2006, Institucioni i Ombudspersonit ka pranuar një ankesë nga një qytetare e Lipjanit për zgjatje të tepruar të procedurës për ekzekutimin e një aktgjykimit të plotfuqishëm gjyqësor të vitit 2001. Sipas aktgjykimit, në bazë të së cilit Gjykata Komunale e Lipjanit kishte vendosur në favor të palës, kërkohej kthimi në punë i ankueses e cila ishte larguar padrejtësisht nga vendi i saj i punës si ofiqare në Kuvendin Komunal të Lipjanit.
Pas shqyrtimit të rastit në fjalë, dhe duke u bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Ombudspersoni ka ardhur në përfundim se është shkelur e drejta e ankueses për një proces të rregullt gjyqësor duke pasë parasysh se mosekzekutimi i vendimeve të plotëfuqishme gjyqësore është në kundërshtim me nevojën për një proces të rregullt gjyqësor, qeverisje të drejtë dhe me respektimin e të drejtave të njeriut.
Si rrjedhojë e mosgatishmërisë së Kuvendit Komunal të Lipjanit për zbatimin e vendimeve të gjykatës dhe mos-ekzekutimit të vendimit nga ana e Gjykatës Komunale të Lipjanit, Ombudspersoni konstaton se rasti në fjalë transmeton një ndikim negativ për nivelin e mirëadministimit të administratës komunale dhe parimin e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit. Duke pase parasysh mosveprimin në drejtim të ekzekutimit të aktgjykimit të plotëfuqishëm gjyqësor, Ombudspersoni poashtu konsideron se proceset e tilla ndikojnë negativisht edhe në gatishmërinë e qytetarëve për të zbatuar vendimet e plotëfuqishme si dhe nuk i shërben rritjes dhe përmirësmit të standardeve për sunimin e ligjit si dhe cenon rëndë autoritetin e gjykatës, vendimet e plotëfuqishme të së cilës nuk ekzekutohen për vite të tëra, krijon një imazh të keq për qeverisjen e vendit dhe ulë në masë të madhe besimin e qytetarëve në mekanizmat e drejtësisë.
Për zgjidhjen e rastit në fjalë dhe evitimin e pasojave të përmendura më lartë, Ombudspersoni i rekomandon Kuvendit Komunal të Lypjanit që të marrë masa për ekzekutimin e vendimit të plotëfuqishëm gjyqësor duke bërë kthimin e ankuese në vendin e mëparshëm të punës.
Në rast të vazhdimit të refuzimit nga Kuvendi Komunal i Lipjanit për zbatimin e vendimit të gjykatës, Ombudspersoni i rekomandon Gjykatës Komunale të Lipjanit që të bëjë përpjekje të vazhdueshme të parapara me ligjin në fuqi për të bërë ekzekutimin e aktgjykimit të nxjerrë nga vetë gjykata.