Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit bën thirrje për përfundimin e procesit gjyqësor në rastin “Albin Kurti”
Pas rrjedhës së seancës gjyqësore të datës 07.02.2007 në rastin e Albin Kurtit me ç’rast Oda e Avokatëve të Kosovës refuzoi që të caktonte edhe një jurist tjetër për të mbrojtur zotëri Kurtin, niveli i disbalancit të fuqive në mes të prokurorise dhe të të paditurit arriti kulminacionin. Në rrethanat e krijuara, me qëllim të evitimit të shkeljes së të drejtës së z. Kurtit për mbrojtje ligjore adekuate, gjykata vendosi që ta suspendojë procesin.
Ushtruesi i detyës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari duke qenë në njohuri për rrjedhën e tërë procesit gjyqësor kundër z. Albin Kurtit që nga fillimi i tij, konsideron se, rasti i djeshëm ka dëshmuar edhe një herë se legjislativi në Kosovë nuk e ka respektin e merituar. Kjo vjen si rrjedhojë e mos-respektit të treguar na ana e avokatëve, nga të cilët, në bazë të profesionit të tyre kërkohet mbajtja dhe ruajtja e ligjit në Kosovë.
Oda e Avokatëve të Kosovës, duke refuzuar caktimin e avokatëve për mbrojtjen e të pandehurit, ka parandaluar në mënyrë efektive zbatimin adekuat të drejtësisë. Nga situata e krijuar, z. Kurti edhe më tej mbetet i akuzuar, mirëpo gjykata kompetente është e privuar nga zbulimi nëse ai është i fajshëm apo i pafajshëm për krimet e ngritura në aktakuzë.
Sipas z. Jashari, sjelljet e tilla nuk përkojnë me ligjin e zbatueshëm në Kosovë. Sipas Nenit 73, paragrafit 1 të Procedurës së Përkohshme të Kosovës për Kodin Penal, kërkohet që i pandehuri të ketë të ashtuquajturën “ mbrojtje të obligueshme” për rastet e tilla për shkak të gravitetit të akuzës, rrethanave dhe gjatësisë së hejqjes së lirisë që mund të pasojë. Qëllimi i kësaj kërkese është që të sigurojë parimin e barazisë së armëve në mes të prokurorisë dhe mbrojtjes me qëllim të debatimit të aspekteve ligjore para gjykatës, ngase të pandehurit rrallherë kanë njohuri të mjaftueshme ligjore për të debatuar rastin e tyre me prokurorinë.
Kurse, në rastin konkret, në bazë të akuzave që janë ngritur në rastin e z. Kurtit, denimi mund të qonte deri në më shumë se tetë vjet heqje lirie.
Duke shprehur shqetësimet e tij, lidhur me rrjedhën e procesit në fjalë, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari iu bën thirrje të gjitha organeve dhe autoriteteve kompetente që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë lidhur me këtë çështje, në mënyrë që më në fund të mirret një vendim në procesin gjyqësor kundër z. Albin Kurtit.