U.d i Ombudspersonit z. Hilmi Jashari u takua sot me shefin e UNMIK-ut z. Joakim Ryker

31/01/2008

Gjatë vizitës që i bëri Institucionit të Ombudspersonit për qartësimin e kompetencave të këtij Institucioni lidhur me ankesat që drejtohen në adresë të UNMIK-ut, shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker është shprehur i impresionuar me të arriturat e Institucionit të Ombudspersonit në përgjithësi.
Gjatë takimit që pati me Ushtruesin e detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jasharin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm Joakim Ryker siguroi se misioni të cilin e udhëheq në Kosovë, do të bashkëpunojë plotësisht me Institucionin e Ombudspersonit lidhur me çështjet që drejtohen nga Institucioni kundër anëtarëve të UNMIK-ut, e të cilat deri më tash nuk kanë patur destinacion të kjartë.
Ndër të tjera, Kryeadministratori i UNMIK-ut Ryker, e informoi z. Jashari për interesimin e tij lidhur me zgjidhjen sa më të shpejtë të Ombudspersonit.
U.d I Ombudspersonit z. Hilmi Jashari, informoi PSSP-në se për punë të suksesshme të Institucionit të Ombudspersonit edhe në të ardhmen, është e rëndësishme paanshmëria dhe pavarësia financiare e tij në mënyrë që të ruhet besimi i qytetarëve të Kosovës që tanimë është krijuar ndaj Institucionit të Ombudspersonit në Kosovë.