Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit : Mos-zgjidhja e statusit final rrezikon të drejtat e njeriut në Kosovë
Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur me rastin e 10 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari bëri një vlerësim të përgjithshëm lidhur me shkallën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë dhe gjithashtu potencoi faktorët të cilët ndikojnë ne pakënaqësinë e qytetarëve në përgjithësi lidhur me të drejtat e tyre.
„Përveq zhvillimit ekonomik dhe social, zvarritja e statusit final të Kosovës vështirëson edhe integrimin e komuniteteve në shoqërinë kosovare si dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë“ tha z. Jashari, për herë të parë, duke iu referuar procesit të gjatë për definimin e statusit final të Kosovës.
Vetëm gjatë periudhës kohore 2006-2007, përafërsisht 5.000 persona kanë kontaktuar Institucionin e Ombudspersonit për të paraqitur ankesa të ndryshme në adresë të Institucioneve të Kosovës
„Duke pasë parasysh numrin e madh të ankesave që i drejtohen Institucionit të Ombudspersonit për çdo ditë si dhe natyrën e këtyre ankesave, mund të konstatojmë se respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm „ tha Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z Jashari duke shtuar se „ shumë nga këto ankesa vijnë si rrjedhojë e përqendrimit të liderëve institucional kryesisht në procese politike për zgjidhjen e statusit final dhe mungesën e kohës së tyre për trajtimin e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës“.
Sipas z.Jasharit, për respektim më të denjë të të drejtave të njeriut në Kosovë, është mëse i domosdoshëm harmonizimi i legjislativit dhe funksionimi i drejtë i gjyqësorit. Prandaj, ai i bëri thirrje Qeverisë së ardhshmë të Kosovës që të sigurojë mbështetje më të madhe për sistemin e drejtësisë dhe të cajtojë si prioritet krijimin e gjykatës kushtetuese si dhe përmirësimin e kushteve të punës për gjyqtarë.
Segment tjetër i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, sipas z. Jasharit është ngritja e përgjegjësisë së qeverisjes në pushtetit qendror si dhe atë lokal, si dhe harmonizimi i instrumenteve ligjore të zbatueshme në Kosovë.