U.D i Ombudspersonit: Qeveria e Kosovës duhet t’i intensifikojë përpjekjet për përmirësimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuara
„ Moskrijimi i çasjes në infrastrukturë rrugore, mungesa e sistemit të veçantë arsimor dhe diskriminimi në punësim i dyfishojnë vështirësitë për jetesë të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë“ tha Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari gjatë vizitës që i bëri galerisë së nxënësve me nevoja të veçanta të shkollës speciale „Përparimi“ në Prishtinë me rastin 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara.
Në galerinë e hapur për nder të kësaj dite, fëmijët me nevoja të veçanta kishin paraqitur vizionin e tyre për një shoqëri të barabartë, pjesë e së cilës dëshirojne të jenë. Mirëpo gjatë takimit me Ushtruesin e detyrës së Ombudspersonit, ata nuk hezituan që edhe gojarisht t’i paraqesin kërkesat e tyre.
Drejtoresha e shkollës speciale „Përparimi“ në Prishtinë znj Igballe Asllani, e njoftoi Ushtruesin e detyrës së Ombudspersonit se një nga vështirësitë në të cilat hasin është punësimi i personave me aftësi të kufizuara, për shkak të siq tha ajo, mos vetëdijësimit të punëdhënësve për rëndësinë e inkuadrimit të personave me aftësi të veçanta në shoqëri dhe për trajtim të barabartë.
„Është e domosdoshme që kjo kategori e personave, që parashihet se përbëjnë dhjetë përqind të popullatës të Kosovës, të inkuadrohen në të gjitha strukturat e shoqërisë Kosovare duke iu ofruar mundësi të barabarta për zhvillim“ tha z. Jashari i cili bëri thirrje për një angazhim më të madh të Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi për avancimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.