Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit mirëpret marrëveshjen e arritur në mes të grevistëve të SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës

19/10/2007

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari ka përshëndetur sot marrëveshjen e arritur mbrëmë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut. Marrëveshja vjen tetë ditë pasi anëtarët e sindikatës filluan me grevë urie për të tërhjekur vëmendjen ndaj kërkesave të tyre. Qeveria i ka pranuar kërkesat e sindikatës, përfshirë edhe ngritjen e pagave prej 12% për punëtorët e vet.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit ka përcjellë grevën e urisë qysh prej kur ka filluar ajo më 11 tetor. Duke luajtur rolin e ndërmjetësit gjatë takimeve me Kryeministrin Agim Çeku, Zëvendës Kryeministrin Lutfi Haziri dhe me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Agim Veliu, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit po ashtu ka ngritur brengat rreth shëndetit të punëtorëve në greve urie.
Komisioni i formuar nga Kryeministri Çeku do të punojë me sindikatën për të implementuar marrëveshjen e mbrëmshme.

“Gjendja kur mësuesit janë në greve urie rrezikon edhe shëndetin e tyre edhe të drejtën e nxënësve për një mjedis normal të mësimit,” tha z. Jashari sot. “Prandaj jam i lumtur që përpjekjet e mia për të ndërmjetësuar në këtë mosmarrëveshje i kanë ndihmuar palëve të përfshira në gjetjen e një zgjidhjeje.”
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Jashari mirëpriti gatishmërinë e Qeverisë për të pranuar kërkesat e sindikatës. Ai shtoi më tutje se ishte në gjendje të ndërmjetësoj në çfarëdo situate që mund të jepte shkak për shkeljen e mundshme të të drejtave të njeriut.