Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit i bën thirrje autoriteteve qëndrore për rishqyrtimin urgjent të strategjisë për eliminimin e varfërisë në Kosovë
Dita ndërkombëtare për eliminimin e varfërisë e gjen Kosovën në top listë të vendeve më të varfëra në botë, pothuajse në të njejtën pozitë që ishte edhe pas konfliktit të vitit 1999.
Sipas analizave të disa organizatave të ndryshme ndërkombëtare, në Kosovë më shumë se 12% e popullatës jetojnë në varfëri ekstreme kurse rreth gjysma e saj janë të ndikuar nga varfëria. Kjo ka ndikuar edhe në disponimin e përgjithshëm të popullatës si dhe në vullnetin e një numri të madh të tyre që të migrojnë nëpër vendet e jashtme nesë iu jipet mundësia.
Duke i marrë në konsideratë këto statistika, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari ka vizituar zonën më të prekur nga varfëria në Kosovë, atë të Skenderajt me ç´rast ka parë për së afërmi familjet që jetojnë me më pak se një euro në ditë. Sipas Konventës Ndërkombëtare për të Drejta Ekonomike, Sociale dhe Kulturore e cila aplikohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë në Kosovë përmes rezolutës së UNMIK-ut 1999/24 Institucionet shtetërore duhet të njohin të drejtën e të gjithë qytetarëve për një standard adekuat të jetesës duke e përfshirë ushqimin, veshëmbathjen dhe strehimin adekuat, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës. Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin hapa konkret për të siguruar realizimin e kësaj të drejte.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa urgjente për lehtësimin e gjendjes së familjeve skamnore në Kosovë. Nuk janë të gjitha çështjet të lidhura me statusin final, andaj është e domosdoshme që urgjentisht të rishqyrtohen prioritetet për elimiminim e varfërisë dhe të fillojë implementimi i tyre pasi që faktet tregojnë se strategjia e deritashme nuk është treguar e suksesshme” tha z Hilmi Jashari gjatë vizitës në strehimoren e përbashkët të 13 familjeve në Prekaz.
“75 euro ndihmë sociale nuk më dalin as për ilaçe për 9 anëtarët e familjes, prandaj jam i detyruar që të mbledh ushqim dhe veshëmbathje nëpër kontenjerë të bërrlogut vetëm për të mbijetuar” i tha njëri nga banorët e qendrës kolektive të Skenderajt, Ushtruesit të Detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jasharit.
Banorët e kësaj ane që u takuan me Ushtruesin e detyrës së Ombudspersonit thanë se jeta e tyre, ndonëse e vështirë, po u vështirësohet akoma më shumë nga dita në ditë si rrjedhojë e ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimor. Andaj ata kërkuan nga Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit që të bëhet zëri i tyre për të kërkuar të drejtën e tyre për një jetë të dinjitetshme.