Ushtruesi i detyrës së Ombduspersonit: Trajtimi i të moshuarve në Kosovë – larg standardeve të dinjitetshme!

01/10/2007

Vizita U.D të Ombudspersonit në Shtëpinë e pleqve në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të moshuar.
Ndonëse ka përpjekje për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të personave të moshuar në Kosovë, momentalisht, pozita e tyre në shoqërinë Kosovare mund të konsiderohet e mjerë.
Përveç mungesës së pagesës së kontributit jetësor për rreth 130.000 sosh dhe ndihmës sociale të mirëfilltë, personave të moshuar në Kosovë iu mungon vëmendja e duhur nga organet qeveritare të nivelit qendror dhe lokal.
Personat e moshuar janë një pjesë e vlefshme e shoqërisë sonë dhe duhet të trajtohen si të tillë si dhe duhet të krijohet një klimë më e përshtatshme për të siguruar kushte më të dinjitetshme për të gjithë të moshuarit. tha Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari.
Gjatë vizitës që i bëri shtëpisë së pleqve në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit është njoftuar për së afërmi me gjendjen e atyre që ndodhen nën kujdesin publik si dhe është informuar lidhur me problemet me të cilën ballafaqohen që të dyja palët.
Drejtoresha e shtëpisë së personave të moshuar në Prishtinë, z. Raze Aliqkaj, u shpreh e kënaqur me përkushtimin që ka Ministria e Mirëqenies Sociale ndaj kësaj shtëpie për përkujdesjen e 108 personave, 15 prej të cilëve janë minoritarë. Mirëpo, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, konsideron se duhet të merren masa për trajtim adekuat të personave me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuara si dhe të bëhet pagesa e kontributit për të gjithë ata që i përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj në bazë të meritave të tyre.
z. Jashari tha se përmirësimi i mirëqenies për të moshuarit është i domosdoshëm dhe mund të arrihet në baze të mundësimit të participimit të plotë të të moshuarve në të gjitha proceset demokratike.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit kërkon nga Qeveria dhe autoritetet lokale, organizatat jo-qeveritare dhe vullnetarët që të kontribuojnë përkrahjen dhe kujdesin e personave të moshuar brenda familjes dhe komunitetit. Qeveria, poashtu, duhet të zhvillojë programe stimuluese për aktivitete vullnetare.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit poashtu kërkon nga autoritetet lokale dhe qendrore që të mundësojnë pjesëmarrjen aktive të të moshuarve në formulimin dhe implementimin e politikave, duke i përfshirë edhe ato që veçanërisht ndikojnë në jetën e tyre.