Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit: Nxënësit nuk mund të privohen nga bartja e shamive në shkolla

26/09/2007

Lidhur me privimin nga bartja e shamive në shkolla në komunën e Skenderajt

“Nxënësit nuk duhet të privohen nga bartja e simboleve fetare siç janë shamitë e kokës nëpër shkolla” ka potencuar Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari në një letër të hapur drejtuar sot Kryeministrit Agim Çeku dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Agim Veliu. Duke reaguar ndaj disa artikujve në gazetat ditore në të cilët thuhej se tri nxënëseve të cilat kishin bartur shami në shkollë iu ishte ndalur iu ishte ndaluar ndjekja e orëve mësimore në një shkollë të mesme në komunën e Skenderajt.

Ndalesa e cila kishte rrjedhur nga Drejtorati për Arsim i komunës së Skenderajt, ka shkelur në masë të madhe mbrojtjen e ofruar me paragrafin 1 të nenit 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (nëntor 1950), e cila përcakton se “ të gjithë kanë të drejtë të shprehjes së mendimit të lirë, bindjes dhe fesë” dhe “kjo e drejtë përfshin lirinë për të shfaqur fenë apo besimin, gjatë adhurimit, ligjërimit, ushtrimit apo zbatimit”.

Në letrën e hapur, z Jashari ka potencuar se “bartja e shamive është shembull i shfaqjes së besimit të dikujt” kurse të drejtat e ofruara me nenin 9 të Konventës Evropiane mund të kufizohen vetëm me ligj.

Ndonëse Kuvendi i Kosovës nuk ka aprovuar ndonjë ligj që do të ndalonte bartjen e shamisë dhe simboleve të tjera nëpër shkolla, çdo vendim ekzekutiv që imponon një ndalesë të tillë e shkel sundimin e ligjit dhe të drejtën e individëve për ta ushtruar besimin e tyre.

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, ka kërkuar në letrën e tij që rasti i komunës së Skenderajt të trajtohet urgjentisht për të siguruar se “Drejtorati i Arsimit të lejojë bartjen e shamive në mënyrë që nxënëset të kthehen në shkollë si dhe të përmbahen nga shkeljet e tilla të të drejtave të njeriut në të ardhmen.”

Në qershor të vitit 2004, Institucioni i Ombudspersonit ka lëshuar një raport special i cili ka të bëjë me të drejtën e nxënësve për bartjen e simboleve fetare siç janë shamitë e kokës nëpër shkolla. Raporti special mund të shihet në faqen e interneti të Institucionit të Ombudspersonit në www.ombudspersonkosovo.org ( nën “Raportet Speciale”, 2004)