Fëmijët e fshatit Stapanicë në dilemë mes jetës dhe edukimit

12/09/2007

Ushtruedi i detyrës së Ombudspersonit vizitoi banorët e fshatit Stapanicë

A është më mirë të kesh fëmijë të shkolluar, apo të mos kesh fëmijë të vdekur?´ ishte kjo njëra ndër pyetjet që i bëri plaku i këtij fshati, Ushtruesit të detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari gjatë vizitës që iu bëri banorëve të kësaj ane me qëllim të dëgjimit të shqetësimeve të tyre.
Për shkak të rrezikut që iu kanoset për jetë, banorët e fshatiti Stapanicë të komunës së Malishevës, kanë vendosur t´ua ndërprejnë mësimin fëmijëve të tyre. Shkolla fillore që gjindet 2 kilometra larg këtij fshatit ndodhet në anën tjetër të magjistrales Prishtinë-Pejë, magjistrale kjo në të cilën në vitet a pasluftës, vetëm në pikën kalimtare të këtij fshati, kanë humbur jetën 6 nxënës kurse disa të tjerë kanë mbetur invalidë
Duke patur parasysh rëndësinë e edukimit të fëmijëve, banorët e fshatit Stapanicë gjatë viteve të fundit kishin improvizuar një shkollë në fshat në të cilën vijonin mësimin 120 nxënës, mirëpo, pa ndonjë arsye edhe këta kontenjerë ku zhvillohej mësimi ishin mbyllur nga organet komunale pa ndonjë arsye konkrete.
I shqetësuar me brengat e banorëve të Stapanicasve, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit ka vendosur që t´i dërgojë një letër urgjente Kryeministrit të Kosovës si dhe ministrive përkatëse në mënyrë të zgjidhjes sa më të shpejtë të problemit të këtyre banorëve si dhe evitimin e rasteve të tilla në përgjithësi në Kosovë.
Këta banorë janë shprehur të vendosur se do ta bllokojnë magjistralen Prishtinë-Pejë në shenjë proteste deri në realizimin e kërkesave të tyre që janë lejimi i vijimit të mësimit në kontenjerët e deritashëm si dhe përshpejtimi i ndërtimit të shkollës së premtuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas statistikave të marra nga Shërbimi Policor i Kosovës, si rjedhojë e mungesës së infrastrukturës adekuate rrugore, deri në gusht të këtij viti kanë humbur jetën 37 këmbësorë, 16 nga të cilët nën moshën 18 vjeçare kurse 758 kanë pësuar lëndime trupore. Numri i përgjithshëm i këmbësorëve të vdekur nga viti 2002 arrin në 190 kurse i të lënduarve në 2669.
U.D i Ombudspersonit z Hilmi Jashari gjatë takimit me banorët e fshatit Stapanicë
Rruga magjistrale ne te cilën gjinden permendoret e fëmijëve që kanë humbur jeten duke shkuar ne shkollë
Kontenjerët që ishin shfrytëzuar si shkollë deri në mbylljen e tyre nga organet komunale