Institucioni i Ombudspersonit dhe Ministritë e Kosovës thellojnë bashkëpunimin mbi çështjet e të drejtave të njeriut
Sot, Ushtruesi i Detyrës së Ombudspersonit Z. Hilmi Jashari mirëpriti garancitë nga Z. Habit Hajredini, Kryesues i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Krye Ministrit, që Njësitë e të Drejtave të Njeriut (NjDNj) pranë Ministrive në Kosovë do të thellojnë bashkëpunimin e tyre me Institucionin e Ombudspersonit.
“Njësitë për të Drejtat e Njeriut obligohen që të komunikojnë dhe shkëmbejnë informatat me Institucionin e Ombudspersonit mbi të gjitha çështjet e të drejtave të njeriut,” tha Z. Jashari pas takimit që pati me Z. Habit Hajredini. “Përderisa ka pas bashkëpunim sporadik në mes të disa NjDNj-ve dhe Institucionit, kjo zakonisht ka qenë kufizuar në rastet individuale në vend të shkëmbimit të rregullt të informatave.”
NjDNj-ët janë një mekanizëm i rëndësishëm që të monitorojnë që nga brenda përputhjen e secilës Ministri me parimet e të drejtave të njeriut. NjDNj-ët gjithashtu këshillojnë mbi çështjet e të drejtave të njeriut dhe raportojnë mbi implementimin e konventave dhe marrëveshjeve të Ministrive të tyre të aplikueshme në Kosovë,
Institucioni i Ombudspersonit do ti njoftojë NjDNj-ët pranë Ministrisë përkatëse direkt për rastet relevante. Sipas radhës, Institucioni pret nga NjDNj-ët të ndihmojnë në mbledhjen e informatave të nevojshme nga Ministritë e tyre përkatëse, ashtu që Institucioni të mund të kryej hetimet e veta në mënyrë më efektive.
“Shpresoj se në këtë mënyrë, Sekretarët e Përhershëm dhe NjDNj-ët në të gjitha Ministritë, do të përfshihen më tepër në rastet të cilat janë në pritje para Institucionit të Ombudspersonit,” tha Ushtruesi i Detyrës së Ombudspersonit. “Një bashkëpunim i tillë do të siguroj një zgjidhje më të shpejtë dhe më efektive të ankesave që pretendojnë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e autoritetit.”
Institucioni i Ombudspersonit gjithashtu mëton që edhe më tepër të përfshijë NjDNj-ët në aktivitetet dhe projektet e Institucionit.
Bashkëpunimi në mes të Institucionit të Ombudspersonit dhe NjDNj-ve të Ministrive në Kosovë është kërkesë sipas Nenit 12 të Udhëzimit Administrativ Nr. 2007/4 mbi institucionalizimin e Njësive të të Drejtave të Njeriut nëpër Ministri, nënshkruar nga Krye Ministri i Kosovës më 19 mars 2007.
Duke mirëpritur iniciativën e Institucionit të Ombudspersonit, Z. Hajredini premtoi që do të siguroi se në të ardhmen Udhëzimi Administrativ do të implementohet nga të gjitha Ministritë e Kosovës në dobi të respektimit të mëtutjeshëm të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kosovë.