Banorët e fshatrave të brezit kufitar me Serbinë të harruar nga institucionet qeveritare

01/08/2007

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit vizitoi fshatrat Muqibabë dhe Lipovicë

Gjatë vizitës që Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z, Hilmi Jashari i bëri fshatrave Muqibabë dhe Lipovicë të komunës së Gjilanit, ka konstatuar se Institucionet e Kosovës në nivelin lokal dhe qendror nuk kanë bërë asgjë për t´ua ofruar kushtet elementare për jetesë banorëve të kësaj ane.

´Ujin e bartim me gomarë nga një pus që gjendet qindra metra larg shtëpive të fshatit, kurse as pusi nuk ka ujë të mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e banorëve të kësaj ane´ i tha Vehid Ibrahimi Ushtruesit të detyrës së Ombudspersonit.

Fshati Muqibabë, që para luftës në Kosovë kishte 53 familje, tani banohet vetëm nga 12 sosh si rrjedhojë e pamundësisë së zhvillimit ekonomik si dhe nga neglizhenca e Institucioneve qeveritare ndaj kësaj pjese të Kosovës.

Duke treguar për kushtet e vështira të jetesës, Ajka Selimi shpjegonte se jeta i ishte vështuirësuar akoma më shumë kur i ishte ndërprerë ndihma sociale asaj familjeje si dhe disa familjeve të tjera.

Në një dhomë betoni, pa mbuloja, shtretër apo izolim jetonte edhe familja Ademi në fshatin Lipovicë. Kurse, fytyrat e fëmijëve të mbuluara nga insektet dhe papastërtia kërkonin mëshirë në mënyrë të gëzimit të së drejtës elementare njerzore. Të drejtës për ekzistencë.

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Jashari, në prezencë të gazetarëve iu bëri thirrje Institucioneve qendrore dhe lokale për ndërmarrjen e masave të shpejta në mënyrë të zgjidhjes urgjente të problemeve për banorët e fshatrave të brezit kufitar duke konsideruar si obligim për veprime pozitive të ndërhyrjes së pushtetit, obligime që dalin nga standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kjo ishte vizita e tretë e Ombudspersonit në këtë pjesë të Kosovës, kurse Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit shprehu brengën për mospërfilljen e rekomandimeve të tij nga ana e institucioneve qeveritare.

Përveq Institucionit të Ombudspersonit, banorët e këtyre fshatrave iu kishin drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës dhe pushtetit lokal të Gjilanit, mirëpo një vizitë e këshilltarit të kryeministrit që ishte ndërmarrë si përgjigjje ndaj kërkesave të tyre, nuk kishte ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen siq janë: trajtimi mjekësor, shkollimi, furnizimi me ujë të pijshëm, rrugët, transporti publik dhe furnizimi me artikuj të domosdoshëm ushqimor.
Familja Ademi -fshati Lipovicë
U.D i Ombudspersonit z. Hilmi Jashari dhe drejtori i hetimeve z. Veton Vula gjatë takimit me banorët e Muqibabës
U.D i Ombudspersonit z, Jashari gjatë takimit me një kryefamiljare të fshatit Muqibabë