Ushtruesi i Detyrës së Ombudspersonit bën thirrje për hetime të shpejta të hollësishme dhe të pavarura lidhur me vdekjen e protestuesve
Ushtruesi i Detyrës së Ombudspersonit, z. Hilmi Jashari, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjeve të dy qytetarëve të cilët humbën jetën gjatë protestave të djeshme të mbështetësve të lëvizjes “Vetëvendosje”.
Përveç hetimeve që do të bëhen nga Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë lidhur me rrethanat që sollën deri te vdekjet, Ushtruesi i Detyrës së Ombudspersonit, z. Hilmi Jashari, do ti dërgojë letër Kryeministrit, Ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe PSSP-së, me të cilën do të kërkojë që të bëhen hetime të shpejta, të hollsishme dhe plotësisht të pavarura lidhur me protestat e djeshme dhe vdekjet.
“Duhet të ketë një element të mjaftueshëm të vështrimit publik në rrethanat lidhur me vdekjet,” tha z. Jashari sot. “Autoritetet ia kanë borxh këtë jo vetëm familjeve të prekura, por edhe publikut më të gjërë, në interes të ruajtjes së besimit të publikut që autoritetet janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit.”
Ushtruesi i Detyrës së Ombudpersonit përsëriti që hetimet, ndonëse duhet të jenë të shpejta, duhet të zhvillohen me kujdes dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë asaj se çka vihet në pyetje: e drejta e aktivistëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u shprehur në një shoqëri demokratike.
“Çfarëdo gjetjesh që të dalin nga këto hetime, ngel fakti që dy jetë njerëzish janë humbur gjatë protestave të djeshme,” tha z. Jashari. “Prandaj, hetimet duhet të sigurojnë që një tragjedi e tillë mos të përsëritet më”.