REAGIM NDAJ GAZETES EXPRESS

20/10/2006

Lidhur me artikullin e datës 20 tetor 2006, me titull “Vrima në Biografi”

Me këtë deklaratë, dëshiroj t’u përgjigjem pohimeve të përmbajtura në artikullin e lartëpërmendur. Artikulli i gazetës “Express” thekson se gjatë aplikimit për postin e Ombuspersonit unë kam “fshehur faktin” se kam punuar si asistent ligjor për një jurist serb të quajtur Mica Stanishiq nga viti 1996 deri më 1998.
Para së gjithash, dëshiroj të theksoj se unë nuk kam punuar kurrë për një jurist me këtë emër dhe as që e di se kush është z. Stanishiq. Është e vërtetë se kam punuar si asistent ligjor për një jurist me origjinë serbe, në një zyrë të njohur të avokaturës në Prishtinë. Kjo zyrë ka punuar në të gjitha fushat e ligjit dhe klientët e saj kanë qenë të të gjitha përkatësive etnike që ekzistojnë në Kosovë, përfshirë këtu shqiptarët.
Prandaj, unë nuk kam lënë një “vrimë” në biografinë e paraqitur për periudhën kohore nga viti 1996 deri më 1998 – në vend të kësaj, unë kam theksuar se kam punuar për një zyre avokature gjatë asaj kohe. Ashtu si theksohet edhe nga gazetari i gazetës “Express” në artikullin e tij, kur më është bërë pyetja për emrin e juristit unë pa mëdyshje e kam ofruar atë informatë dhe në asnjë kohë nuk kam tentuar që ta fsheh identitetin e tij nga paneli intervistues.
Si rrjedhim, dëshiroj të theksoj se paneli intervistues ka dhënë vlerësimin e tij mbi përshtatshëmrinë time për postin e Ombudspersonit në dijeni të plotë se për kë dhe kur kam punuar për juristin në fjalë.
Gjatë intervistës, kjo çështje u ngrit shkurtimisht dhe nuk u bënë pyetje tjera lidhur më këtë. Unë e konsideroj si të pavend që një anëtar i panelit intervistues, i cili gjatë intervistës tregoi një interes të shkurtër për këtë çështje, më pas ta diskutojë çështjen gjerësisht me shtypin. Kjo më sjell në një çështje tjetër – e konsideroj si jashtëzakonisht të padrejtë që biografitë, dosjet dhe pikët e kandidatëve të caktuar të bëhen publike para se paneli intervistues t’i ketë dërguar vlerësimet e tij për kandidatët e ndryshëm pranë Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese të Kuvendit. Kjo zhvlerëson punën e mirë të panelit intervistues, në të cilin kam besim të plotë.
Gjithashtu dëshiroj të përgjigjem në deklaratën e z. Nazim Jashari, deputet dhe anëtar i partisë ORA, për gazetën “Express” që është cituar në artikullin e lartëpërmendur. Z. Jashari e konsideron si të pakuptimtë që jam propozuar për postin e Ombudspersonit nga “Drejtori i Administratës së Institucionit të Ombudspersonit”.
Kjo nuk përputhet tërësisht me faktet. Sipas nenit 6.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2006/06 mbi Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, kandidatët për postin e Ombudspersonit dhe të Zëvendësit Kryesor të tij propozohen nga organizata dhe institucione të cilat merren me mbikëqyrjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ku bënë pjesë edhe Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë. Kuptohet që, si Ushtrues i detyrës së Ombudspersonit, unë ose zëvendësi im nënshkruajmë gjithë korrespondencën që dërgohet nga Institucioni i Ombudspersonit. Megjithatë, meqë unë, zëvendësi im si dhe drejtori i departamentit të hetimeve ishim kandidatë për Ombudsperson, nënshkrimi i një propozimi me të cilin unë propozohesha për postin e Ombudspersonit paraqiste konflikti interesash. Duke e pasur parasysh këtë konflikt interesash, anëtari tjetër me titull të lartë pas nesh që do të nënshkruante letrën ishte Drejtori i Administratës, i cili pastaj nënshkroi letrën, me të cilën unë propozohesha në emër të Institucionit të Ombudspersonit, pas një vendimi të marrë nga shumica e punonjësve.
Në fund, dëshiroj të shpreh zhgënjimin tim që artikulli i gazetës “Express” është përqendruar vetëm në këto dy vite kur kam punuar si asistent ligjor, por nuk ka përmendur fare faktet tjera të paraqitura në biografinë time, më saktësisht ato që flasin për punën time si Sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Obiliq në vitin 1993 dhe për punën time në Institucionin e Ombudspersonit që nga themelimi i tij në vitin 2000, ku kam punuar si Jurist për të drejtat e njeriut, Drejtor i hetimeve, dhe zëvendës Ombudsperson.

20 tetor 2006,Prishtinë Hilmi Jashari,
Ushtrues i detyrës së Ombudspersonit