GREVA E URISE NE QENDREN E PARABURGIMIT NE MITROVICE
Vizita e qendres se paraburgimit ne Mitrovice nga perfaqesuesit e IOK
Më 24 maj 2006, përfaqësues të Institucionit të Ombudspersonit, të nxitur nga një informatë e administratës së Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë (QPM) për një grevë urie të nisur në këtë qendër, vizituan drejtorin e kësaj qendre, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, me ç’rast u informuan lidhur me arsyet që kishin shtyrë njëmbëdhjetë të paraburgosur dhe të burgosur të përkatësisë etnike serbe në një grevë urie.
Sipas drejtorit të QPM-së, gjendja shëndetësore e grevistëve ishte e mirë dhe se personeli mjekësor i kishte kontrolluar ata. Ai gjithashtu tha se grevistët kishin refuzuar ushqimin por kishin pranuar të pijnë ujë. Për më tepër, drejtori tha se nuk kishte ankesa për sa i përket sjelljes apo kushteve në QPM, por se arsyet e hyrjes në grevë ishin procedurat gjyqësore dhe vendimet e gjykatave ndaj tyre.
Të paraburgosurit dhe të burgosurit janë të pakënaqur sepse rastet e tyre janë gjykuar nga gjyqtarë të përkatësisë etnike shqipëtare dhe kërkesa e tyre kryesore është që rastet e tyre të rishqyrtohen nga gjykatës ndërkombëtarë.
Në bazë të informatave të siguruara, përfaqësuesit e Institucionit të Ombudspersonit ndërmorrën iniciativë për të gjetur mënyrën që të ndërpritet greva e urisë e të paraburgosurve dhe të burgosurve dhe më 25 maj 2006 ata biseduan grevistë të tjerë me ç’rast dëgjuan shqetësimet që kishin lidhur me proceset e tyre gjyqësore.
Përfundimisht, si rezultat i bisedimeve në mes përfaqësuesve të Ombudspersonit dhe grevistëve në QPM-së, këta të fundit janë dakorduar që të ndërpresin grevën e urisë duke vënë kusht që Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut të japë një përgjigje lidhur me kërkesën e tyre për rishqyrtimin e rasteve të tyre nga gjykatës ndërkombëtarë në një afat prej 15 ditëve.