LIDHUR ME PUBLIKIMIN E DY RAPORTEVE

21/04/2006

Institucioni i Ombudspersonit publikon raport lidhur me punën e gjykatave në rastet e Ndërmarrjeve Shoqërore që kanë borxhe ndaj punëtorëve

Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë (IOK), ka publikuar dje një raport për dy raste lidhur me 112 individë nga Vushtrria, të cilët ende nuk kanë marrë borxhin nga pagat e papaguara nga dy Ndërmarrje Shoqërore të administruara nga AKM-ja. Gjykata Komunale e Vushtrrisë kishte urdhëruar këto dy mdërmarrje, Ndërmarrja “Kosova” dhe “Vushtex” që t’ua paguajnë borxhin ankuesve, por konfliktet nga politikat ekzistuese të AKM-së parandaluan pagesën.
Ankuesit, njëri prej të cilëve ish-punëtor i ndërmarrjes “Kosova”, kurse 111 ish- punonjës nga ndërmarrja “Vushtex”, pohuan se punëdhënësit e tyre nuk i kishin paguar ata disa muaj apo edhe me vite të tëra gjatë periudhës kohore 2000-2004. Ata e paraqitën rastin e tyre pranë Gjykatës Komunale në Vushtrri, e cila, nxorri vendim në favor të tyre dhe urdhëroi bankat përkatëse që t’u paguajnë ankuesve borxhin nga llogaritë bankare të punëdhënësve të tyre. Meqë ankuesit nuk kishin marrë pagesat e urdhëruara me gjyq, ata plotësuan ankesa pranë Institucionit të Ombudspersonit, i cili filloi hetime zyrtare pas shqyrtimit paraprak të fakteve.
IOK gjeti se problemi qëndronte në atë se ligjet ishin në kundërshtim. Në njërën anë, nga bankat kërkoheshte me ligj që të veprojnë në pajtim me vendimin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë, në anën tjetër, bankave u ishte thënë nga AKM-ja që ata nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim deri sa të shqyrtoheshin rastet nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit.

IOK konkludoi se ndonëse Oda e Veçantë kishte qartësuar disa çështje të juridiksionit, ajo nuk kishte siguruar udhëheqje të mjaftueshem se si të vazhdohet me përmbarimin e vendimeve të tilla dhe se ky lëshim në sistemin gjyqësor kishte shkelur të drejtat e ankuesve për proces të drejtë gjyqësor. IOK rekomandoi që Oda e Veçantë të këshilloi gjykatat lokale se si veprohet me përmbarimin e këtyre rasteve dhe rasteve të ngjashme sa më shpejtë që është e mundur.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, z. Hilmi Jashari, nënshkroi raportin, i cili zyrtarisht i’u dorëzua Parlamentit të Kosovës. Kopje të raportit gjithashtu i’u dërguan edhe PSSP-së, z. Søren Jessen-Petersen, Koordinatorit të Standardeve pranë UNMIK-ut, z. Brian Hopkinson, Kryetarit të Gjykatës Komunale në Vushtrri, z. Sabit Beqiri, dhe Kryetarit të Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, z. Tudor Pantiru.