Kerkesa e Ombudspersonit per PSSP-ne lidhur me permiresimin e bashkepunimit me Institucionin
Sot, Ombudspersoni i dërgoi një letër PSSP-së duke kërkuar nga ai që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që autoritetet e policisë të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre me Ombudspersonin. Në veçanti, Ombudspersoni kërkoi nga PSSP-ja që të udhëzojë policinë të përgjegjet në kërkesat e vazhdueshme të Ombudspersonit për informata nga autoritetet e policisë, të cilat mund të jenë të rëndësishme për hetimet mbi ankesat që individë të ndryshëm i kanë parashtruar Ombudspersonit.
Në disa nga këto ankesa është pohuar që individët janë keqtrajtuar nga policia e cila i ka ndaluar apo paraburgosur. Në të tjerat, është pohuar që policia ka dështuar të zhvillojë hetimet mbi krime tjera apo ka dështuar që viktimave të këtyre krimeve të u sigurojë informata rreth hetimeve mbi to. Në disa nga këto raste, policia nuk ka përfillur kërkesat e përsëritura të Ombudspersonit për periudha kohore deri më 2 vite.
Sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, si policia e UNMIK-ut ashtu edhe SHPK-ja janë të obliguara që të bashkëpunojnë me Ombudspersonin duke i ofruar atij informatat, dokumentet dhe dosjet përkatëse rreth hetimeve mbi shkeljet e pohuara të të drejtave të njeriut dhe keqpërdorimit të autoritetit. Edhe pse PSSP-ja mund të kundërshtojë dhënjen e ndonjë dosje apo dokumenti, ai është i obliguar që ta informojë me shkrim Ombudspersonin për arsyet e tij për ta bërë atë.
Letra e sotme drejtuar PSSP-së, në të cilën kërkohet nga ai të ndërmarrë veprime për të siguruar që policia të përmbushë obligimet e saj ligjore, është letra e tretë e ngjajshme që Ombudspersoni i dërgon atij brenda gjashtë muajve të fundit, pa pranuar kurrfarë përgjegjje.
Ombudspersoni e mirëpret një përgjegjje të shpejtë nga PSSP-ja, si dhe një përgjegjje gjithëpërfshirëse ndaj kërkesave për informata mbi këto raste, të drejtuara shumë kohë më parë autoriteteve të policisë në Kosovë.